Drita bën hap tjetër drejt titullit, Llapi-Malisheva mbyllet pa gola

Drita bën hap tjetër drejt titullit, Llapi-Malisheva mbyllet pa gola

Albi Mall Superliga e Kosovës në futboll ka vazhduar me ndeshjet e xhiros së 21-të, ku skuadra e Dritës ka bërë një hap të rëndësishëm drejt titullit të kampionit, ndërsa përballja mes Llapit dhe Malishevës përfundoi pa gola.

Drita ka regjistruar fitore të rëndësishme në garën për titull, duke mposhtur Suharekën me rezultat 2:0 në ndeshjen e zhvilluar në terrenin me bar sintetik në Gjilan. Me këtë fitore, skuadra gjilanase është shkëputur në tabelë me 10 pikë epërsi ndaj Ballkanit, që dje barazoi në shtëpi me skuadrën e fundit në renditje, Feronikelin 74 (1:1).

Golat për Dritën u shënuan nga Besnik Krasniqi në minutën e 25-të nga pika e bardhë dhe Rron Broja në minutën e 63-të me një supergol.

Në xhiron e ardhshme, Drita do të përballet me Ferizajn në shtëpi, ndërsa Suhareka do të luajë kundër Gjilanit.

Ndërkohë, ndeshja mes Llapit dhe Malishevës, e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”, përfundoi me rezultat 0:0. Takimi u karakterizua me shumë ndërprerje për shkak të lëndimeve, por të dyja skuadrat patën raste të mira për të gjetur rrjetën.

Malisheva qëndron më mirë në tabelë duke u pozicionuar në vendin e tretë me 34 pikë, tri më pak se Ballkani i vendit të dytë, ndërsa Llapi mbetet në pozitën e parafundit me 22 pikë dhe vazhdon garën për mbetje në elitë.

Në xhiron e ardhshme, Llapi do të ketë një sfidë të vështirë ndaj Prishtinës si mysafir, ndërsa Malisheva do të përballet me Ballkanin në “Liman Gegaj”.