Drenica shpallet kampione e Ligës së Parë – Grupi A dhe rikthehet në Superligë

Drenica shpallet kampione e Ligës së Parë – Grupi A dhe rikthehet në Superligë

Skuadra e Drenicës është shpallur kampione e Ligës së Parë – Grupi A për edicionin 2024/25, duke siguruar kështu rikthimin në elitën e futbollit kosovar, AlbiMall Superligë, vetëm një vit pas rënies nga ajo.

Kuqezinjtë e Skenderajt siguruan titullin një javë para përfundimit të kampionatit, pas fitores bindëse në shtëpi ndaj Istogut me rezultat 3:1. Heroi i këtij triumfi ishte Igball Jashari, i cili realizoi “hat-trick”, duke vulosur fitoren dhe ngjitjen drejt Superligës.

Pas ndeshjes, u organizua ceremonia zyrtare e ndarjes së trofeut dhe medaljeve për kampionët. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ndau trofeun e kampionit, të cilin e pranuan bashkë kapiteni Shkëlzen Lushtaku dhe sulmuesi vendimtar i ndeshjes, Igball Jashari. Ndërkohë, medaljet u ndanë nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Xhelal Broja dhe Ismajl Ajeti, si dhe kryetari i Ligës Rajonale të Futbollit në Mitrovicë, Bardhec Seferi.

Ndërkohë, presidenti Ademi ka postuar një mesazh urimi në të cilin theksohet: “Përgëzojmë FC Drenica për titullin e kampionit në Ligën e Parë – Grupi A dhe rikthimin e merituar në elitën e futbollit kosovar. Realizimi i këtij objektivi erdhi si rrjedhojë e përkushtimit të futbollistëve, stafit teknik dhe të gjithë strukturave të klubit, të cilët punuan me përkushtim për t’i kthyer ngjyrat kuqezi aty ku e kanë vendin – në Superligë. FC Drenica është një emër me traditë në futbollin tonë, andaj rikthimi në Superligë i jep edhe më shumë vlerë dhe konkurrencë garës në elitë”, ka shkruar kreu i FFK-së.