
FC Drenica e liron nga detyra trajnerin Arsim Thaqi
FC Drenica ka njoftuar se e ka liruar nga detyra trajnerin Arsim Thaqin, ndonëse aktualisht gjendet në krye të tabelës së Ligës së Parë.
Sipas klubit, ky vendim është marrë pas një analize të ecurisë së ekipit dhe nevojës për ndryshime që do ta ndihmojnë në arritjen e objektivave të tyre për të ardhmen.
“Vendim nuk ka qenë i lehtë, por është marrë pas një analize të thellë të situatës dhe përpjekjes për të ecur përpara me një qasje të re me qëllim që klubi të arrijë rezultate sa më të mira”.
“Klubi tashmë ka nisur procesin për gjetjen e një trajneri të ri, i cili do të marrë përsipër drejtimin e skuadrës dhe do të punojë për të përmbushur synimet tona”, thuhet në njoftim.
Drenica e ka uruar trajnerin Thaqi, për siç thanë, punën dhe përkushtimin e tij gjatë kohës së kaluar me klubin.
Shkarkimi i Thaqit nga Drenica vjen pas humbjes prej 0-2 nga Trepça ’89 xhiron e kaluar.
Drenica është në vend të parë me 41 pike, e përcjellur nga Trepca ’89 e cila ka arritur tani në kuotën e 37 pikëve, pas fitores pikërisht në duelin mes vete, 0-2.