Dramë në Rahovec, “vreshtarët” vazhdojnë me fitore

Dramë në Rahovec, “vreshtarët” vazhdojnë me fitore

Arbër Curri ka pritur gjuajtjen e fundit për t’i mundësuar Rahovecit që të vazhdojë me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll.

Të dielën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci e Besa Famgas zhvilluan derbi shumë interesant e të fortë. Njëjtë si në dy ndeshjet e kaluara mes këtyre dy skuadrave, sfida u vendos në aksionet e fundit. Dhe Rahoveci fitoi 27:26 për suksesin e 18-të rresht në Superligë. Rahoveci ka vetëm fitore dhe udhëheq në tabelë me 36 pikë. Besa Famgas është e dyta me 28 pikë. Skuadra vendase e hapi ndeshjen me seri 5:0. Por pejanët nuk u dorëzuan. Mbetën në lojë, duke u afruar gradualisht në rezultat. Barazimin Besa e realizoi vetëm në minutën e 43-të, 20:20. Më pas kaloi në epërsi prej dy golash, 23:21. Shpejt rezultati u barazua në 23:23.

Rahoveci doli para 25:24 e 26:25. Por Besa barazonte. Për 27:26 realizoi Victor Alonso në minutën e 57-të dhe rezultati më nuk ndryshoi. Në sekondën e fundit, Curri ndali gjuajtjen për barazim të Marin Mariqit. Pos Currit u dallua edhe portieri tjetër i Rahovecit, Arti Luzha. Më efikasi ishte spanjolli Alonso me tetë gola. Nga katër i kishin Jeton Bislimi, Mali Luzha e Igor Radojeviq.

Në momentet vendimtare me tri gola rresht te Rahoveci u shqua Florian Rexha. Edhe te Besa Famgas më i dalluari ishte portieri Mursel Memeti. Nga pesë gola i shënuan Nikola Prce e Olsi Mulaj, ndërsa katër i kishte Antonio Vozila.