Doktor Kurtishi: Për katër muaj, 715 raste të reja me kancer në Kosovë
Ilir Kurtishi, drejtor i Onkologjisë në QKUK jep një të dhënë tejet shqetësuese sa i përket rasteve të reja me kancer në Kosovë.
‘Për vitin 2024, për katër muaj kemi regjistruar rreth 715 pacientë me kancer të llojeve të ndryshme.
Edhe këtë vit, dominon kanceri i mushkërive te meshkujt dhe kanceri i gjirit te femrat. Ajo që është shqetësuese që shumë raste të reja në moshë të re, identifikohen me stade të ndryshme”, thotë ai.
Në bisedë me Nacionalen, doktor Kurtishi shpjegon llojet dhe mënyrat se si jepen terapitë.
“Kimioterapia është formë klasike e trajtimit të pacientëve me kancer, që përdoret për lokalizimin e tumoreve të ndryshme dhe një tjetër është me tableta ose në mënyrë intravenoze që është më e shpeshta, në mënyrë që qelizat malinje ose kanceroze të shkatërrohen sa më shumë me këto barna, por në të njëjtën kohë ka edhe efektet anësore që manifestohen me shenja si mund të jenë vjellja apo barkqitja, pastaj me dëmtim të lëkurës që manifestohet me rënie të flokëve, që me kalimin e efekteve të terapisë ato tërhiqen”, thotë ai.