Dogana dhe policia sekuestrojnë 33 kilogramë ari

Dogana dhe policia sekuestrojnë 33 kilogramë ari

Dogana e Kosovës në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë veprime operacionale të kontrolleve në rajonin e Gjilanit.

Pas pranimit dhe verifikimit të informatave për dyshime për tregti të paligjshme nga disa biznese që ushtrojnë veprimtarinë e argjendarive.

“Në kuadër të këtij operacioni, janë kontrolluar shtatë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar përkohësisht: 33 kg e 310 gram ari (tridhjetë e tre kilogram e treqind e dhjetë gram ari), 14,650.00 euro (katërmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë euro) dhe 9,720.00 franga zvicerane (nëntë mijë e shtatëqind e njëzet franga zvicerane). Gjatë këtij operacioni, janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, të gjithë meshkuj kosovarë. Pas intervistimit të tyre, me vendim të prokurorit kujdestar, të arrestuarit janë dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Dogana.

Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës kanë njoftuar se mbeten të përkushtuara në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme dhe korrupsionit, duke garantuar sigurinë dhe rendin për të gjithë qytetarët.