Djali i Shkurte Fejzës, Arbër Behluli në PDK

Djali i Shkurte Fejzës, Arbër Behluli në PDK

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sot ka njoftuar se partisë i është bashkuar edhe diplomati Arbër Behluli, i cili është djali i ikonës kulturore, këngëtares së shquar Shkurte Fejza, si dhe nipi i heroit Azem Behluli.

Krasniqi duke i uruar mirëseardhje Arbër Behlulit, ka thënë se ai do të jetë kandidat i PDK-së për deputet.

“Me një master në politikat e Bashkimit Evropian, Arbëri ka ndërtuar karrierë të suksesshme edhe si ligjërues universitar, edhe si zyrtar i lartë në institucionet tona shtetërore. Tani, ai është gati të marrë mbi vete një sfidë të re, të formësojë të ardhmen e Kosovës nga brenda Kuvendit. Ekspertiza, vizioni dhe përkushtimi i palëkundur i Arbërit ndaj shtetit dhe qytetarëve tanë, e bëjnë atë një zgjedhje të jashtëzakonshme për këtë rol”, është shprehur Krasniqi.