Dita e dëshmorëve në Rahovec/ Dëshmorët janë ngurtësuar përjetësisht në mendjet dhe zemrat tona

Dita e dëshmorëve në Rahovec/ Dëshmorët janë ngurtësuar përjetësisht në mendjet dhe zemrat tona

Nga: Smajl Latifi – kryetar i Komunës së Rahovecit 

Dita e Dëshmorëve është ditë nderimi e reflektimi

Të respektuar familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, struktura të pushtetit lokal, të nderuar qytetarë të komunës së Rahovecit, janë disa ngjarje në jetën e njerëzve që ndikojnë në rrjedhat e historisë dhe si të tilla mbeten në kujtesën kolektive. Një ndër këto ngjarje është edhe beteja e 12 majit 1998 e zhvilluar në rajonin e Anadrinisë. Asnjëherë më parë në historinë e kësaj ane nuk kishte ndodhur një zhvillim kaq dramatik. Forcat serbe, pas një qëndrese dhe angazhimi të vendosur të njësiteve tona që kishin bashkuar zemrat dhe armët, u përzunë me luftë deri matanë Gradishit, duke u kthyer në zonë operimi të UÇK-së kjo pjesë e Anadrinisë.

Dhuna dhe represioni serb kishin arritur në pikën ku nuk mbante më. Pushteti okupues serb po aplikonte të gjitha llojet e dhunës me qëllim të nënshtrimit përfundimtar të popullit shqiptar. Lëvizja e organizuar ilegale kishte punuar parreshtur për ta përgatitur luftën e armatosur edhe përkundër faktit se kishte forca politike e individ që nuk besonin në këtë lëvizje. Grupe e individë të përkushtuar e kishin marrë seriozisht luftën si mënyrën e vetme për të dalë nga kjo hulli ku e kishin futur popullin shqiptar. Dalja e UÇK-së më 26 prill 1998 në Drenoc, sikur i dha jehonë kësaj ideje dhe fryma e luftës u përhap si një zjarr që djeg e përcëllon tokën e zhuritur për një pikë ujë.

12 maji i vitit 1998 ishte i veçantë ngase këtu jehuan krismat e lirisë dhe ndër shqiptarë u rikthye shpresa e vrarë se një ditë do të jetojmë të lirë edhe ne. Djemtë e Anadrinisë kishte kohë që po përgatiteshin për Ditën e Madhe dhe mësymja e serbëve drejt Drenocit nuk u realizua ashtu siç ata kishin planifikuar. Vënia nën kontroll e kësaj hapësire gjeografike kishte rëndësi të madhe për vazhdimin e luftës, ngase nëpër këtë arterie qarkullonte “gjaku i lirisë”, armët dhe municionet që silleshin me krahë nga burrat e djemtë entuziastë nga vise të ndryshme shqiptare. Pra, Anadrinia u bë arterie e rëndësishme e luftës sonë çlirimtare.

Dalja e UÇK-së dhe pozicionimi i çlirimtarëve në rripin gjeografik rrëzë bjeshkës së Zatriqit, kishte krijuar parakushte për veprimtari më aktive të pjesëtarëve të UÇK-së dhe të LKÇK-së që operonin në këtë rajon. Hapësira nga Kramoviku e deri në Gradish u bë zonë e operimit të UÇK-së, edhe pse mbahej nën rrethim të hekurt dhe e kërcënuar përherë nga makineria ushtarake serbe.

Të dashur pjesëmarrës,
Në fushë të nderit ranë dëshmorët e parë të lirisë, Milaim Krasniqi e Milaim Morina dhe u plagosën disa shokë, ndër të cilët Osman Zyberaj, njeriu i celulës së parë të UÇK-së në këtë rajon, Lulzim Hoti nga Ratkoci, veprimtar ndër të parët në organizimin e LKÇK-së në Ratkoc. Lulzimi më pas do të vdesë nga plagët e rënda që i mori atë ditë. U plagos edhe Myftarem Gashi nga Drenoci e u vra në pragun e shtëpisë Malush Morina nga Ratkoci.
Edhe përkundër këtyre rënieve e dhimbjeve që përjetuam, ky popull nuk e ndali luftën sepse njerëzit ishin të bindur se rrugë tjetër nuk na kishte mbetur.

Djemtë e UÇK-së do të vazhdonin të qëndronin nëpër istikame dhe të gatshëm për t’u përballur me rreziqe e vështirësi. Ishim të vetëdijshëm se forcat ishin të pabarabarta, por po ashtu ishim të vetëdijshëm se kthim prapa nuk do të ketë. Pra, Kosova kishte hyrë në rrugën e pakthyeshme të historisë. Në këtë rrugëtim në fushë të nderit ranë edhe Përparimi, Feimi, Sakipi, e më pas Agimi e Tafili, por rëniet sikur na bënin më të vendosur për ta vazhduar rrugëtimin e nisur kah liria. Ranë Toni e Mici, Mensuri, Safeti, Naseri, Visari, Gëzim Hamza, Bekimi, Enveri, Fitimi dhe shumë e shumë dëshmorë e u vranë e masakruan qindra të paarmatosur, gra, pleq e fëmijë.

Pikërisht në datën e sotme të vitit 1999, do të bie në fushë të nderit edhe njëri ndër organizatorët e parë të luftës çlirimtare në këto anë, Bedrush Avdi Gashi, i cili do të bëhet me të vëllanë Feimin në përjetësi. Shëmbëlltyra e këtyre dëshmorëve të lirisë do të bëhet udhërrëfim e frymëzim. Më pas, vargu i dëshmorëve do të shtohet sepse e përgjakshme ishte rruga e lirisë dhe kjo rrugë vetëm në këtë mënyrë mund të vijonte.

Të nderuar të pranishëm,
Veprimtaria dhe vetëmohimi i dëshmorëve tanë janë udhërrëfim për brezat, prandaj si të tillë duhet të bëjmë përpjekje për ruajtjen e kësaj trashëgimie kombëtare. Të bëmat e dëshmorëve do të shërbejnë si gurë kilometrik, që matin arritjet tona, drejt realizimit të aspiratave të kombit shqiptar.

Sakrificat e dëshmorëve të kombit dhe rrugëtimi luftarak e jetësor i tyre, mirënjohja për nënat, motrat, vëllezërit baballarët dhe të gjithë qëndrestarët e kombit nga të gjitha trojet shqiptare, meritojnë përkulje dhe nderim të pafund. Falë këtyre sakrificave dhe vendosmërisë sonë, do të çmohemi e vlerësohemi nga ata që vijnë pas nesh. Dëshmorët dhe liria janë vlera më sublime e një kombi, prandaj këtë pasuri kombëtare duhet ta ruajmë e ta kultivojmë, sepse kështu bëjnë të gjithë popujt e civilizuar.

Brigada 124 “Gani Paçarizi”, ka pasur një rrugëtim të vështirë, të dhimbshëm, por edhe shumë të lavdishëm. Nën flamurin e kësaj brigade luftuan e ranë për liri 120 dëshmorë e qindra luftëtarë e martirë kanë krenari të ligjshme për këtë pjesë të lavdishme.

Lufta çlirimtare e rahovecasve dhe e gjithë anadrinasve, ka vulën e gjakut të heronjve, të dëshmorëve e të martirëve dhe kontributin e madh të liridashësve të kësaj treve atdhetare dhe bukdhënëse, të kësaj treve atdhetare që i dha shumë UÇK-së, luftës dhe lirisë së Kosovës.

Lavdi dëshmorëve e martirëve të komunës së Rahovecit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

Gradish-Rahovec, 12 maj 2025.