DISKUTIM PËR MUZIKËN SHQIPTARE NË FESTË

DISKUTIM PËR MUZIKËN SHQIPTARE NË FESTË

Shkruan: Milazim Krasniqi 

1. Të ulur pa shije rreth ndonjë sofre a tavoline, me meze të ekspozuar nga të cilat të përzihen zorrët, (së paku në festa njerëzit janë të ngimë e nuk kanë qejf të shohin mish të pjekur tërë kohën në ekran) ose duke defiluar kuturu njëri pas tjetrit në një skenë demode, këngëtarë e këngëtare sërish na ofruan një repertor të varfër e interpetime edhe më të varfëra. Përveç ndonjë kënge e interpretimi të rrallë, edhe kësaj here u pa se muzika e mirëfilltë shqiptare, nuk banon në këto emisione. Bile, edhe këngët që dikur kanë pasur ritme të mirëfillta shqiptare, tash po interpretohen në stil tallava. Për të na i përzier zorrët, bash si ajo mezeja bajate, e ekspozuar pa asnjë shije. 2. Pyetja që shtrohet edhe me këtë rast është: çka është muzikë shqiptare? A është e tillë vetëm nëse janë fjalët shqip, apo duhet të ketë një tërësi të strukturuar vlerash, që nga motivika, ritmet, intonacioni, figuracioni, personazhet, kostumografia, ambienti, mendësia dhe kujtimet e jetës shqiptare? Pa këto shtresa artistike e jetësore, ajo edhe kur i ka fjalët shqip, nuk prek në nervin e përjetimit tonë estetik. Ose prek vetëm sipërfaqësisht, aq sa edhe secila këngë e popujve fqinj. Por, nuk rrënjoset në kujtesë dhe nuk prodhon nevojën për ta dëgjuar prapë e prapë. Prandaj, muzika e sotme praktikisht nuk ka ndonjë ndikim të vërejtshëm në identitetin tonë kulturor e kombëtar. Është bërë thjesht një produkt serik komercial, i reklamuar më shumë edhe se sa salçiqet. 3. Muzika shqiptare ka qenë dikur si një vullkan, prej nga kanë shpërthyer emocione, ëndrra, shpresa, besime e vizione të njeriut shqiptar, i cili edhe pse ishte i robëruar, nuk e kishte humbur shpresën për liri dhe besimin në Zotin e Gjithësisë. Prandaj, njeriu shqiptar gjente energjinë të këndonte, të qëndronte e të besonte. Ky edhe është misioni i artit të mirëfilltë, pra lidhja e fizikes me shpirtëroren, lidhja e historikes dhe metafizikes. Këngëtarë si Sali Krasniqi, Riza Bllaca, Feriz Krasniqi, Ymer Riza, Qamili Vogël, Shyqri Alushi, Bik Ndoja, Fitnete Rexha, Havsa Zyberi, etj., i kanë dhënë kuptim jetës shqiptare me artin e tyre të interpretimit. Por, ajo muzikë madhështore pothuajse është fshirë nga kujtesa e shumicës së shqiptarëve, në favor të xhinglaminglave tallava. Falë Zotit që shumë nga këngët e tyre të paharrueshme mund të gjenden në YouTube. P.S. Sa pë muzikë popullore gjatë tërë vitit, jo brenda dy-tre ditëve festive, kanali i RTV 21-Popullore mbetet i pakonkurencë. Nuk e di pse lodhen kot e harxhojnë para kot këto televizionet e tjera.