DhTIK i shkruan kryeministrit Kurti rreth bllokadës së shkaktuar nga Ligji për Pronën Publike

DhTIK i shkruan kryeministrit Kurti rreth bllokadës së shkaktuar nga Ligji për Pronën Publike

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK), i është drejtuar me një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën DhTIK ka shprehur shqetësimin e thellë për mungesën e gatishmërisë për reagimin e duhur institucional për zgjidhjen e problemeve të krijuara në funksionimin e institucioneve shtetërore të shkaktuara nga hyrja në fuqi e zbatimit të Ligjit 08/L-125 për Pronën Publike, zbatimi i të cilit ka shkaktuar bllokadë totale në funksionim të bizneseve që merren me aktivitete minerare.

Në reagim thuhet se: “DhTIK ka organizuar takime të shumta me një numër institucionesh me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për të dalë nga kjo situatë, pasi vazhdimi i bllokadës ka vënë në situatë të rëndë bizneset, të cilat përpos që po përballen me probleme ekonomike dhe shumë kompani janë në telashe nga pamundësia që t’u qëndrojnë prapa kontratave të nënshkruara, shkaku i skadimit të licencave dhe mosvazhdimit të tyre. Kjo po sjellë probleme ligjore për ta, humbje të klientëve dhe rrezikim të humbjes së mijërave vendeve të punës”.

Me tutje ka theksuar se arsyetimin e kolizionit ligjor ndërmjet Ligjit 08/L-137 për Pyjet dhe Ligjit 08/L-125 për Pronën Publike, Agjencia e Pyjeve të Kosovës (APK) më 19.06.2024, ka marrë vendim për pezullimin e shqyrtimit të të gjitha kërkesave që janë paraqitur nga bizneset lidhur me marrjen me qira të tokës pyjore.

“Marrja e pëlqimit nga APK (Kontrata e qirasë së tokës pyjore) është kusht thelbësor ligjor për vazhdimin e procedurës pranë KPMM-së. Si pasojë e vendimit për pezullim të kërkesave nga APK, shumica e bizneseve minerare janë me licenca të skaduara ose në prag të skadimit të tyre, përkatësisht pranë shuarjes së tërësishme si biznese-mbylljes së mijëra vendeve të punës”, vijon reagimi.

Tutje, thuhet se: “veprimtaria e bizneseve minerare është thelbësore për funksionimin e tërë industrisë së ndërtimit në përgjithësi dhe të veprimtarive të tjera ekonomike përcjellëse. Në rast të ndërprerjes së punës në aktivitetet minerare, pushon e tërë industria e ndërtimit dhe industritë tjera përcjellëse, si dhe humben mijëra vende aktive të punës”.

Në reagim thuhet se përveç humbjes së mijëra vendeve të punës, shteti humb miliona euro nga tatimet e drejtpërdrejta që merren nga bizneset minerare dhe të ndërtimtarisë, si dhe tatimet tjera që derivojnë nga këta sektorë krucial të ekonomisë vendore. “Sektori minerar, të cilit i takojnë bizneset tona, është kontribuuesi i tretë më i madh në mbushjen e Buxhetit të Kosovës pas Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore të Kosovës (ATK)”, vazhdon reagimi.

Gjithashtu, thuhet se mosgatishmëria për gjetjen e një zgjidhje është evidentuar edhe në takimin e organizuar nga Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime të mbajtur më 11 dhjetor.
Kryetari i DhTIK-së, Skender Krasniqi, ka thënë se sektori i gurthyesve, ai i betonit dhe i asfaltit janë në situatë të rëndë.

“Kemi dhjetëra biznese që kanë ndërprerë punën. Kemi qindra biznese që kanë humbje edhe në biznes edhe në punëtorë. Në kuadër të Dhomës kemi grupin punues, ku janë mbi 100 biznese të sektorit minerar. Si rezultat i këtij ligji, MBPZhR-ja nuk mund të lëshoj leje. KPMM nuk vazhdon licencën. Kemi pas takime me Zyrën e Kryeministrit edhe me shefen e GP të LV-së. Është premtuar se do të bëhet shpejtë një zgjidhje, por fatkeqësisht nuk ka pasur asnjë lëvizje. Si rezultat i kësaj, ne kemi rënie të prodhimit vendor dhe në anën tjetër kemi rritje të importit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ne kërkojmë më urgjencë që kjo situatë të zgjidhet për shkak se kanë mbetur bizneset në situatë të vështirë, pasi nëse nuk gjendet një zgjidhje, ne do të jemi të detyruar të ndërmarrim masa tjera”, ka deklaruar Krasniqi.