Detaje të reja për 23-vjeçaren që u lëndua nga rënia e çatisë së Komunës së Prishtinës
23-vjeçarja që pësoi lëndime nga rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës po vazhdon trajtimin në Mjekimin Intenziv të QKUK-së.
Shefi i Mjekimit Intenziv, Shaqir Uka ka thënë për Insajderin se gjendja është relativisht stabile, mirëpo që ajo po vazhdon të qëndrojë në aparatura mjekësore.
“Përkundër asaj që lëndimet janë serioze, gjendja është relativisht stabile dhe pacientja është e varur edhe më tutje nga aparatura mjekësore”, deklaroi ai për Insajderin.
Sot bëhet e 11’ta ditë që prej se 23-vjeçarja, e cila është motra e deputetes së VV’së Fjolla Ujkani, po qëndron në mjekim intensiv.
Komuna e Prishtinës ka dalë me një ekspertizë për rrëzimin e çatisë, ndonëse do të duhej të ishte Prokuroria ajo që e realizon ekspertizën.
Deri më tani, gjykata ka caktuar masën e ndalimit për dy persona. Njëri është menaxher i kompanisë përgjegjëse për renovimin e çatisë “NBT-ING” dhe tjetri zyrtar i Komunës së Prishtinës.