
Dështimi i seancës, Cakolli: Kuvendi vazhdon të tallet, me veten dhe me qytetarët
Eugen Cakolli nga KDI-ja ka thënë se Kuvendi vazhdon të tallet, jo vetëm me veten, por edhe me qytetarët.
“Edhe sot, një të diele, një tjetër seancë për pesë minuta ‘punë’ – pa asnjë ndryshim real. Me shumicën e deputetëve që vonohen pa asnjë ndjesi urgjence, sepse nuk kanë as ngutje, as vullnet për ta zgjidhur ngërçin. Në këtë cikël absurd, të gjithë e dinë se publiku është lodhur nga papërgjegjësia politike. Prandaj, kur të ketë vërtet vullnet për marrëveshje, ajo nuk do të ndodhë rastësisht në sallë e as papritur në ditën e seancës”, ka shkruar Cakolli në “Facebook”.
Ai ka thënë se: “Nëse vjen marrëveshja, ajo do të paraprihet nga sinjale të qarta – deklarata të reja, ton tjetër, narrativë e ndryshuar – veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Qoftë për formimin e institucioneve, qoftë për shkuarjen në zgjedhje. Deri atëherë, shfaqja teatrale vazhdon. Me aktorët e njëjtë, rolet e njëjta dhe një fund të njohur. Fatkeqësisht, edhe me spektatorë që ende presin fund tjetër – nga e njëjta kastë dhe i njëjti skenar”, ka thënë Cakolli.