Dështimi i 27-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Dështimi i 27-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës për të 27-tën herë me radhë kanë dështuar që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan, në vazhdimin e seancës konstituive më 4 qershor, që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Votimi i fshehtë është propozuar në vazhdimin e seancës konstituive më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në disa votime të hapura dështoi që të merrte 61 vota për t’u zgjedhur në këtë post.

Çështja e votimit të fshehtë po kundërshtohet nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë dhe është dërguar në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Ato vlerësojnë se mënyra se si LVV-ja po tenton që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votës së fshehtë është jokushtetuese, duke kërkuar nga Gjykata që të marrë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.

Kjo ishte hera e nëntëmbëdhjetë që deputetët refuzuan votimin e fshehtë për kryeparlametar. Seanca konstituive, që nisi më 15 prill, do të vazhdojë më 7 qershor.

Për shkak moskonstituimit të Kuvendit, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përmendur mundësinë që zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale të rregullta, të cilat pritet të shpallen për muajin tetor.

Këtë ide e ka paraqitur Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, gjatë një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila diskutoi me të gjitha partitë politike për datën e zgjedhjeve lokale.