Dëshmitari Klaus Jensch: Kemi kapur persona që kishin veshur uniforma me flamuj gjerman dhe që plaçkitnin

Dëshmitari Klaus Jensch: Kemi kapur persona që kishin veshur uniforma me flamuj gjerman dhe që plaçkitnin

Oficeri i ushtrisë Federale të Gjermanisë, Dietrich Klaus Jensch tha se gjatë kohës që ishte me mision në kuadër të KFOR-it në Kosovë kanë kapur persona që kanë veshur uniforma me flamuj të Gjermanisë e që kryenin vjedhje.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit përmes avokates Nina Tavakoli dëshmitari tha se këtyre personave iu kanë thënë që t’i hiqnin të paktën flamujt e Gjermanisë. Sipas tij, kishte persona që vinin nga Shqipëria për të kryer vjedhje.

“Të paktën me kujtohen dy incidente që kemi arrestuar persona që po vidhnin dhe grabisnin dhe mbajë mend që ata të kenë thënë që kishin ardhur nga Shqipëria…Shpeshherë ka ndodhur që ne t’i kemi kapur personat që kishin veshur uniforma gjermane me flamurin gjerman dhe iu kemi kërkuar atyre që të paktën të i hiqnin flamujt gjerman në mënyrë të tillë që ata të mos identifikoheshin më si anëtarë të ushtrisë”, tha dëshmitari.

Po ashtu ai pohoi se para tërheqjes së trupave serbe dhe pas kthimit të refugjatëve kosovar në Kosovë kishte veprime hakmarrëse.

“Po kam parë dhe kam qenë dëshmitari i disa prej tyre edhe vetë”, tha ai.

Ai tha se kishte parë disa zjarrëvenie sa ishte në Kosovë e shumë prej tyre i kishte parë nëpërmjet televizionit pasi ishte kthyer në Gjermani.

Tutje, dëshmitari Klaus Jensch pohoi se veprimet e plaçkitjes janë kryer edhe nga ushtarët e ushtrisë jugosllave.

“Ka pasur veprime plaçkitje, me kujtohet një skenë ku përfshiheshin ushtarët e ushtrisë ish-jugosllave që po qëllonin me të shtëna në ajër dhe një komandant major gjerman i cili dinte pak gjuhën vendore dhe arriti që të qetësojë pak situatën. Pra, kishte një përballje në mes pjesës shqiptare të popullsisë dhe forcave jugosllave që po largoheshin”, tha ai.

Ndërsa, për rastin në godinën MUP-it në Prizren, dëshmitari tha se pasi dy prej të ndalurve ishin shkuar në shkollën e manastirit në Prizren ku mbaheshin refugjatët kishin deklaruar se kanë parë dy persona të cilët i kishin rrahur.

“Rreth orës 15:00 dy personave që jetojnë aktualisht në shkollën e Manastirin në Prizren kanë njohur Sami Rexhepin dhe komandantin e UÇK-së Nezir Kryezin përmes dritares dhe kanë thënë se janë rrahur në mënyrë të përsëritur dhe janë keqtrajtuar nga ata kur janë mbajtur në ish-ndërtesën e MUP-it”, tha ai./betimiperdrejtesi/