
Derbin e Siguria Superligës e fiton Dukagjini, Ulpiana dhe Malisheva shënojnë fitore bindëse
Dukagjini ka shënuar fitore në derbin e Siguria Superligës së femrave, ku si mysafir e ka mundur Mitrovicën, me rezultat të ngushtë 1:0. Golin e fitores e shënoi Aurona Racaj në minutën e 60-të. Kjo ndeshje ishte vendimtare edhe për vet titullin e kampionit. Dukagjini, me këtë fitore, është ngjitur në krye të tabelës me 40 pikë, duke e lënë pas rivalin e vetëm për titull, Mitrovicën, me dy pikë më pak.
Në kuadër të xhiros së 15-të janë zhvilluar edhe dy ndeshje tjera. Llapi nuk arriti t’i rezistojë Ulpianës, e cila e deklasoi ekipin llapjan me rezultat 0:7. Ulpiana dominoi të gjithë lojën. Në pjesën e parë u shënuan tre gola: dy nga Liridona Leka në minutat 22 dhe 24, ndërsa në minutën e 44-t Shkurte Zeqiri shënoi për 0:3. Në fraksionin e dytë, ishin sërish mysafiret ato që shënuan. Liridona Leka kompletoi hat-trickun në minutën e 53-të, ndërsa në minutën e 64-t shënoi edhe golin e saj të katërt për ta çuar skuadrën në rezultat 0:5. Vetëm 11 minuta më vonë shënoi sërish Shkurte Zeqiri, e cila në minutën e 90-të kompletoi hat-trick. Tre pikët e fituara ndaj Llapit i sigurojnë Ulpianës vendin e katërt në tabelë me gjithsej 18 pikë.
Ndërkaq, në takimin tjetër Malisheva shënoi fitore bindëse ndaj Kosovës VR, me rezultat 8:0. Golin e parë Malisheva e gjeti në minutën e 17-të përmes Rreze Gashit, e cila 10 minuta më pas shënoi edhe golin e dytë. Në fund të pjesës së parë, përkatësisht në minutën e 38-të, e njëjta futbolliste realizoi hat-trick, duke i siguruar fitoren Malishevës që në pjesën e parë. Në pjesën e dytë, ekipi vendas vazhdoi me gola të tjerë. Altina Hoti shënoi për 4:0 në minutën e 56-të. Edhe pasi siguroi fitoren, Malisheva nuk kishte të ndalur. Fortesa Berisha shënoi tre herë radhazi në minutat 70, 81 dhe 90. Hat-tricku i Berishës bëri që skuadra e Malishevës ta përmbyllte takimin me rezultat të thellë 8:0. Pozicioni i Llapit në tabelë mbetet i njëjtë, i parafundit me gjithsej 9 pikë, ndërsa Malisheva ngjitet në vendin e tretë me 22 pikë.