
Derbi ndërmjet Prishtinës dhe Llapit përfundon pa fitues
Derbi ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, që përmbylli javën e 22-të në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll nuk dha fitues, pasi u mbyll me barazim pa gola (0:0).
Ndeshja e zhvilluar të hënën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” dhuroi një lojë të luftuar nga të dyja skuadrat, por pa efikasitet në fazën e finalizimit. Prishtina ishte më kërkuese gjatë 90 minutave dhe krijoi më shumë raste shënimi, por portieri kroat i Llapit, Marijan Çoriq, ishte në formë të shkëlqyer duke bërë disa intervenime vendimtare për ta mbajtur portën e paprekur.
Edhe Llapi pati disa raste të mira shënimi, por nuk arriti të gjejë rrugën e golit.
Me këtë barazim, Prishtina mbetet në pozitën e pestë në tabelë me 30 pikë, duke bërë një hap prapa në garën për një vend që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane për edicionin 2025/2026. Ndërkaq, Llapi renditet në pozitën e nëntë me 23 pikë, duke vazhduar betejën për mbijetesë.