Deputeti i GUXO-s thotë se Gërvalla s’do të jetë dhe nuk duhet të jetë më ministre e Jashtme
Deputeti i Kuvendit nga Lista GUXO, Burim Meta, i cili drejton edhe degën e kësaj partie në Ferizaj, theksoi se në të ardhmen mund të ketë përçarje të reja mes GUXO-s dhe qeverisë, sidomos lidhur me ministren Donika Gërvalla.
Ai tha Gërvalla mund të mos jetë më ministre e Jashtme, e madje theksoi se edhe “nuk duhet të jetë”.
“Ne në të ardhmen do të kemi një përçarje tjetër, tani mes partisë GUXO dhe qeverisë, kur ministrja Gërvalla natyrisht nuk do të jetë ministre e Punëve të Jashtme të Diasporës, për shkak se nuk duhet të jetë ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, tha Meta për ATV.
Meta la të kuptohet se ky qëndrim mund të sjellë mosmarrëveshje të reja mes partnerëve në qeveri, duke vënë në pikëpyetje edhe rolin e Gërvallës në skenën diplomatike.
Tutje, ai tha se kjo parti ka marrë një drejtim që po dëmton identitetin dhe kauzën për të cilat është krijuar.
Ai vlerësoi se mospërfshirja e strukturave dhe veprimet e bashkëkryetarëve po minojnë besimin e anëtarësisë.
“Është një mbyllje e partisë, është dëmtim i kauzës përmbi të cilat është krijuar partia GUXO, është largim nga identiteti dhe dinjiteti i saj politik partiak. Është rrënim i maksimës apo motës që e ardhmja i u takon atyre që guxojnë, të cilët pikërisht dy bashkëkryetarët, Peci dhe Gërvalla, nuk guxuan asnjëherë që të merren me partinë, që të merren me strukturat e partisë”, tha Meta.