Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka akuzuar Qeverinë për, siç tha ai, një “gjakderdhje financiare” përmes pagave të të emëruarve politikë.
Në një konferencë për media, Ramadani ka deklaruar se 463 të emëruar politikë në Qeverinë para 7 qershorit vazhdojnë të marrin paga nga buxheti i Kosovës, duke pretenduar se emërimet e tyre janë të jashtëligjshme.
Sipas tij, shuma mujore e pagave për këta të emëruar arrin në rreth 486 mijë e 150 euro, ndërsa me shpenzimet shtesë, si mbushjet e telefonave, përdorimi i veturave, karburantet dhe shpenzimet e reprezentacionit, shuma totale, sipas Ramadanit, e kalon gjysmë milioni euro në muaj.
“Janë 463 të emëruar politikë në Qeverinë para 7 qershorit që marrin pagë nga populli i Kosovës në mënyrë të jashtëligjshme”, ka thënë Ramadani.
Ai pretendoi gjithashtu se këta persona nuk kanë të drejtë të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre dhe se, sipas tij, nuk kanë të drejtë as të hyjnë në zyrat qeveritare.
Ramadani ngriti akuza edhe për mënyrën e emërimit të disa zyrtarëve, duke thënë se ka raste kur persona që kanë punuar si shoferë janë emëruar këshilltarë politikë, me qëllim të rritjes së pagës.
Deputeti i Aleancës i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që të nisë menjëherë hetimet lidhur me këto pretendime. “Duhet të ndalet gjakderdhja financiare”, ka theksuar ai.
Ramadani e krahasoi shumën prej mbi gjysmë milioni eurosh në muaj me pagat e 769 policëve, 862 pjesëtarëve të FSK-së, 909 zjarrfikësve ose 781 mësimdhënësve.

