Dënimi i Pal Lekajt, Haradinaj: Nuk e ka marrë asnjë cent për veten
Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së ka deklaruar për dënimin e Pal Lekajt për rastin e 53 milionshit.
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është dënuar me tre vjet e tetë muaj burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtimit të buxhetit të Kosovës.
Dënimi, i shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar, ka të bëjë me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Ai ka thënë se është një keqkuptim i gjykatës dhe shkalla tjetër e gjyqësisë do ta sqarojë këtë.
Haradinaj ka thënë se Kosova e ka kontraktuar kopaninë “Bechtel&Enka” para se ai të vinte në pushtet, më pas Haradinaj thotë se Kosova i kishte para borxh për autostradën.
“Unë besoj që është një keqkuptim, është keqkuptu çështja e të vërtetës dhe shpresoj që shkalla tjetër e sqaron. Tash iu sqaroj marrëdhënia e Kosovës me “Bechtel&Enka”, një operator që ka qenë i kontraktun para ardhjes sime në pushtet që Kosova ia kishte paret broxh me ndërtu rrugën për Shkup, nuk ka mundur me u ndryshu kjo marrëdhënie. Psh Lekaj nuk ka marrë asnjë cent për vete”, ka thënë Haradinaj për T7.