Demhasaj: Kryeministri dhe ministrat po shkelin Kushtetutën

Demhasaj: Kryeministri dhe ministrat po shkelin Kushtetutën

Arton Demhasaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi se Kushtetuta e përcakton që nuk mund të jesh njëkohësisht edhe deputet edhe ministër apo kryeministër.

Në emisionin Edicioni Special në Klan Kosova ai u shpreh se shkelja është duke u bërë në këtë aspekt për shkak që siç tha, kjo shumicë parlamentare që ishte deri më 9 shkurt e ka ndryshuar ligjin për qeverinë, ku është vendosur që kryeministri dhe ministrat që e fitojnë mandatin e deputetit nuk mund t’i ushtrojnë  edhe funksionet tjera ekzekutive, siç është rasti me qeverinë.

“Në mënyrë të jashtëligjshme ata edhe po shkojnë çdo dy ditë në parlament, po hyjnë në seancë plenare dhe pastaj nga parlamenti po lëvizin e po shkojnë edhe në qeveri. Kjo është edhe jo-kushtetuese”, deklaroi Demhasaj.

Ai më tej e dha një mendim se pse po ndodh kjo.

“Nuk ka logjikë tjetër të shpjegohet kjo, përpos asaj që ose kanë frikë për ta humbur pushtetin për shkak se mund të përfundojë një pjesë e madhe e tyre edhe prapa grilave për shkak edhe të aferave të shumta korruptive që kanë pasur gjatë mandatit të tyre katërvjeçar, ose edhe aq i ëmbël i është dukur pushteti në kohën sa kanë qeverisur saqë në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë nuk po pranojnë për të ikur nga qeveria ose nga shumica parlamentare”, deklaroi Arton Demhasaj i AAK-së.