Dejona Mihali i përgjigjet Haradinajt, ia kujton një postim të Isa Mustafës që e akuzonte për vrasje civilësh të hedhur në Radoniq

Dejona Mihali i përgjigjet Haradinajt, ia kujton një postim të Isa Mustafës që e akuzonte për vrasje civilësh të hedhur në Radoniq

Dejona Mihali, Koordinatore e Komiteteve e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, i ka reaguar kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradianj, i cili përmes një statusi në Facebook të enjten, ka thënë se kushdo që rrezikon ushtarët amerikanë në Kosovë është kundër vendit dhe do të ndëshkohet.

Deklarata e Haradinajt vjen, pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar të enjten se “hapja e Urës së Ibrit rrezikon ushtarët amerikanë”.

Duke i reaguar Haradinajt Dejona Mihali e përmendur një postim të ashpër të Isa Mustafa kundër Haradinajt që e akuzonte  ish-Komandantin e Zones së Dukagjinit për viktima civile të hedhura në Liqenin e Radoniqit.

“Sot Ramush Haradinaj paska shkruar një status në facebook si dikur në mbrëmjen e 17 tetorit 2015, Isa Mustafa. Me liqenin e Radoniqit. Atë botë kush e lexoi u skuq nga turpi. Statusi u fshi.  Çfarë pati ndodhur para 9 viteve?   Opozita e bashkuar nisi protestat kudo nëpër Kosovë kundër Zajednicës dhe Demarkacionit. Marrëveshje të nënshkruara nga Isa Mustafa, Kryeministër me 25 dhe 26 gusht 2015.  Haradinaj si një nga kryetarët e frontit opozitar ishte pozicionuar drejt e qartë kundër marrëveshjeve aq të dëmshme të Mustata-Thaçit me Serbinë e Malin Zi. Midis tyre ne kundërshtonin pa kompromis çkado që aludohej për Urën e Ibrit në ato marrëveshje, pra lëvizjen e kufirit administrativ, pra territorin e supozuar të Zajednicës. Mbrëmjen e 16 tetorit 2015 në Interaktiv, Ramush Haradinaj, tha pak a shumë në mënyrë metaforike e plot të drejtë se nëse pushteti insiston të arrestojë deputetët që hodhën gaz, populli do ta arrestojë Isa Mustafën”, ka thënë Mihali.

“Ish Kryeministri Isa Mustafa, iu përgjigj në FB se Ramushi e paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: ‘Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestoj Isa Mustafën’ … ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka të burgosur të ‘popullit’.  Për ata që janë të rinj tash e nuk e dinë as 2015 e as 2000, ‘liqeni i Radoniqit” ishin akuzat e pabaza, absurde të Serbisë që u ishin mveshur atyre që luftuan, përfshirë Haradinajn, për vrasje të civilëve të hedhur në liqen.  Atëherë nuk pat kush që nuk u pozicionua me Haradinajn e kundër Mustafës. Së pari, së se i pari ishte pozicionuar për së mbari, bashkë me popull, e së dyti sepse Kryeministri i asaj kohe edhe ishte pozicionuar shtrembër edhe kishte shkruar diçka të tmerrshme për Kosovën, jo veç për UÇK, a komandantin e Dukagjinit.  Ku gjendet sot Haradinaj?  Nga cili krah i urës?”, ka shkruar ajo.