Dega e PDK-së në Drenas ia beson kandidimin për kryetar Ramiz Lladrovcit 

Dega e PDK-së në Drenas ia beson kandidimin për kryetar Ramiz Lladrovcit 

Kryesia e Degës së PDK-së në Drenas i ka dhënë përkrahje me shumicë të votave kandidimit të Ramiz Lladrovcit edhe për një mandat për kryetar të Drenasit.

“Falënderoj Kryesinë e Degës së PDK-së në Drenas, për miratimin e propozimit për kandidaturën time për kryetar të komunës për zgjedhjet e 12 Tetorit. Votat për kandidaturën time ishin 42 për, një kundër dhe një abstenim”.

“Pres nga Kryetari i PDK-së, miratimin e këtij propozimi të Degës e cila nuk njeh humbje nga çlirimi e këndej”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Ai ka shtuar se me punë e përkushtim, uniteti i dëshmuar i Degës së PDK-së në zgjedhjet nacionale, pret të përsëritet edhe në zgjedhjet lokale, “ashtu sikur deri sot të jemi fitues në të gjitha zgjedhjet lokale e qëndrore”.

“Drenasi, dje bastion i UÇK-së dhe sot bastion i PDK-së, është i pathyeshëm në rrugën dhe vizionin e heronjve tanë të luftës dhe paqes, Hashimit, Kadriut, Jakupit. Komuna e Drenasit është gjashtë herë kampion i qeverisjes së mirë në nivel nacional, sepse i ka edhe qytetarët më të mirë, degën e PDK-së me organizimin më të mirë, prandaj, mezi pres të vazhdojmë!”.

“Besimi që mu dha është jo vetëm detyrë por edhe obligim në shërbim të qytetarëve të komunës së Drenasit!”, ka shkruar Lladrovci.