Dega e LDK-së në Pejë dhe Lipjan ia kanë kërkuar dorëheqjen Abdixhikut nga kreu i partisë.
Dega e LDK-së në Pejë, njofton se pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, “me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë”.
“Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhet në njoftimin e degës.
“Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, përfundon njoftimi.
Edhe Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, “si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thekson LDK në Lipjan pas analizës së bërë rezultateve zgjedhore.

