
Deficit tregtar i Kosovës në muajin prill arriti në 15,2 për qind
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin prill 2025.
Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 15,2% në muajin prill 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 492,3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 427,5 milionë euro në vitin 2024. Eksporti mbulon importin me 13,0%.
Eksporti i mallrave në muajin prill 2025 kishte vlerën 73,8 milionë euro, ndërsa importi 566,2 milionë euro, që është një rritur prej 0,9% për eksport, si dhe një rritje prej 13,1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11,8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura; 10,1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; pijet dhe duhani; 6,8% e përbëjnë produktet minerale, etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 12,9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12,8% e përbëjnë produktet minerale; 12,6% e përbëjnë mjetet e transportit; 11,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.
Eksportet dhe importet e Kosovës në vendet e BE-së
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 25,3 milionë euro, ose rreth 34,2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 1,2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,0%), Holanda (3,0%), Italia (2,8), etj. Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 237,6 milionë euro, ose 42,0% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-2,4%). Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (13,9%), Italia (4,6%), Polonia (3,8%), etj.
Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 33,9 milionë euro, ose 45,9% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 4,1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (15,9%), Shqipëria (15,5%), Mali i Zi (7,0%), Serbia (6,0%).
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 74,3 milionë euro, ose 13,1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13,5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (4,6%), Shqipëria (3,8%), Serbia (3,4%).
Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e tjera të botës
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 14,6 milionë euro, ose 19,8%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (9,5%) dhe SHBA (2,8%). Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 254,3 milionë euro, ose 44,9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,0%) dhe Kina (13,0%).