
Deda: Me këtë qasje të partive politike, më së miri është të shkojmë në zgjedhje të reja
Opinionisti Ilir Deda vlerëson se nëse vazhdohet me qasjen e njëjtë të partive politike lidhur me koalicionet dhe krijimin e qeverisë, më së miri do të ishte të shkohet në zgjedhje të reja.
Siç u shpreh në emisionin Rubikon në Klan Kosova, interesat e partive politike janë të parëndësishme.
“Interesi i Republikës së Kosovës është që Kosova ta ketë një qeveri stabile, e cila i përmirëson marrëdhëniet me ShBA-në, e cila i heqë sanksionet e BE-së, e cila i merr obligimet me të cilat Kosova rritet politikisht, bëhet pjesë e stabilitetit të Ballkanit perëndimor dhe rreshtohet me të dy boshtet perëndimore”.
“Interesat e partive politike janë të parëndësishme. Askujt nuk ia ndien në këtë fortunë gjeopolitike se cilat janë interesat e disa partive në Republikën e Kosovës. Nëse me të vërtetë kështu kanë me vazhdu, unë besoj që më së miri është të shkohet me zgjedhje të reja”, deklaroi Deda, duke shtuar se e kemi një kuvend ku askush s’mund ta mbërrijë shumicën.