De Gea i gatshëm të rikthehet tek Man Utd
David De Gea është i hapur për t’u rikthyer tek Manchester United, por vetëm në rast se dy figura të rëndësishme nuk janë më pjesë e klubit.
Sipas raportiemve të fundit, De Gea është i zemëruar me trajnerin Erik ten Hag dhe drejtorin sportiv John Murtough, të cilin e mban përgjegjës për largimin e tij nga ‘Old Trafford’.
Burime pranë portierit kanë zbuluar se De Gea i ka thënë rrethit të tij të ngushtë se do të ishte i gatshëm t’i ribashkohet Unitedit, në rast se Ten Hag dhe Murtough largohen nga klubi.
Sidoqoftë, kjo është një kërkesë e madhe dhe e parealizueshme pasi ‘Djajtë e Kuq’ tashmë e kanë konfirmuar teknikun holandez në stol edhe për sezonin e ardhshëm.
Portieri spanjoll e kishte bërë të qartë se nuk e ka për qëllim që të luajë për ndonjë ekip tjetër në Angli, duke e lënë mundësinë e rikthimit tek Unitedi si të vetmin opsion në Ligën Premier.
The Athletic raporton se qëndrimi i De Geas nuk ka ndryshuar dhe ai mbetet i etur të rikthehet në Spanjë ose të ribashkohet me Unitedin, por vetëm pa Ten Hag dhe Murtough në krye.
De Gea kishte njoftuar për largimin e tij nga Unitedi më 8 korrik të vitit të kaluar, duke i dhënë fund aventurës 12-vjeçare në Angli.
Gjatë këtyre viteve, 33-vjeçari ishte paraqitur në 540 ndeshje, ku në 190 prej tyre kishte arritur ta mbajë portën e pastër.
Ai gjithashtu ka fituar dy herë ‘Dorezën e Artë’ të Ligës Premier, si dhe ishte shpallur katër herë lojtari më i mirë i sezonit tek United.