De Bruyne “nën shënjestër”, Napoli bën tifozët të ëndërrojnë

De Bruyne “nën shënjestër”, Napoli bën tifozët të ëndërrojnë

Në pritje për të kuptuar nëse në fanellën e re do të ketë të stampuar flamurin italian për herë të katërt në histori të saj, tifozët e Napolit mund të fillojnë të ëndërrojnë për të ardhmen me merkaton e futbollit.

Presidenti Aurelio De Laurentiis ka dhënë miratimin për të përshpejtuar negociatat për të veshur me fanellën e kaltër Kevin De Bruyne, yllin belg i cili në fund të sezonit do t’i thotë lamtumirë Manchester City-t me një kalim falas.

Ajo që deri disa javë më parë dukej vetëm një ëndërr merkatoje, me kalimin e ditëve është shndërruar në një negociatë të vërtetë me një ofertë konkrete: kontratë dyvjeçare me pesë milionë euro në vit dhe mundësi rinovimi për një vit tjetër.

Talenti belg, pas 10 vitesh, do të largohet nga klubi i Manchesterit, i cili nuk i ka propozuar një rinovim të kontratës. Pas deklaratës se nuk do të nënshkruante kontrata të shkurtra për të marrë pjesë në Botërorin e Klubeve, duke rrezikuar lëndime që mund të dëmtojnë pjesën e fundit të karrierës, ai po shqyrton mundësinë e kalimit në Napoli, që është një nga ofertat më tërheqëse që ka mbi tavolinë, raporton BallkanWeb.

Një propozim që, sipas Fabrizio Romanos, është ekonomikisht jashtë parametrave të Napolit sa i përket pagave, por për një goditje të tillë De Laurentiis është i bindur se duhet të ngrisë shifrën. De Bruyne duket se ka dhënë miratimin e tij për klubin napolitan, por ka kërkuar kohë për të shqyrtuar ofertat e shumta që ka marrë nga klube të ndryshme (Liverpool, Marselja, Chelsea, MLS), të cilat kanë ardhur nga çdo cep i botës futbollistike.

Një nga këto oferta, sipas “Corriere dello Sport”, është edhe ajo e Juventusit, i cili disa ditë më parë ka bërë një telefonatë me lojtarin për të kuptuar nëse ka ende mundësi për t’u futur në garë. Në javët në vijim pritet të shohim nëse për belgun do të ketë një garë mes dy ekipeve italiane apo jo.