DASH: Do të mbështesim gjetjen dhe ndëshkimin e përgjegjësve për sulmin ndaj Ibër-Lepencit

DASH: Do të mbështesim gjetjen dhe ndëshkimin e përgjegjësve për sulmin ndaj Ibër-Lepencit

Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje në gjetjen dhe ndëshkimin e kryerësve të një sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, i cili shkaktoi ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me ujë në disa pjesë të vendit dhe kërcënoi furnizimin me rrymë, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Matthew Miller.

Miller tha në X se “ne e dënojmë sulmin e 29 nëntorit ndaj ujësjellësit të Kosovës” dhe i falënderoi ekipet emergjente të Kosovës dhe misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, për punën e tyre në rikthimin e furnizimit me ujë.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, gjë që është mohuar nga Serbia.

Shpërthimi ndaj kanalit në Varragë nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.