DASH: Diskutimet për dinarin duhet të vazhdojnë me urgjencë

DASH: Diskutimet për dinarin duhet të vazhdojnë me urgjencë

Diskutimet për dinarin duhet të vazhdojnë me urgjencë, ka thënë të martën zëvendëszëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Vedant Patel.

Ai e ka bërë këtë deklaratë kur është pyetur në një konferencë për media lidhur me deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të bërë një ditë më parë, se është arritur një pjesë e pajtueshmërisë për propozimin amerikan për punën e dinarit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendimin e autoriteteve të Kosovës që të zbatojnë prej 1 shkurtit rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) e cila përcakton euron si valutën e vetme për pagesa me para të gatshme.

Kështu, serbëve të Kosovës u është pamundësuar përdorimi i dinarit serb.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për komunitetin serb në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.