
Dardanët” me video motivuese para ndeshjeve me Islandën
Kombëtarja e Kosovës do t’i ketë dy sfida të rëndësishme në këtë muaj me Islandën.
Pas këtyre dy lojëve, do të kuptohet nëse në edicionin e ri do të jetë pjesë e Ligës B apo C në Ligën e Kombeve.
Prapa futbollistëve si gjithnjë do të jenë edhe tifozët “Dardanët”.
E këta të fundit, përmes një videoje të shkurtër i kanë dhënë motiv ekipit kombëtar.
“Luajmë si një ekip. Një komb. Çdo njeri, çdo moment, çdo minutë. Ne jemi Dardanët. Ne jemi Kosova”, thuhet në videon e tifozëve zyrtarë të Kombëtares.
Tifozët kosovarë kanë qenë gjithmonë prapa Kombëtares, kudo që ka luajtur ajo.
Edhe këtë radhë, ata pritet ta japin kontributin dhe ndihmën e tyre nga tribunat, duke u bërë lojtari i 12-të në fushë.
Kombëtarja “verdhekaltër” do t’i bëjë konak Islandës nesër mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa ndeshja e kthimit e “play-off”-it do të luhet të dielën në Murcia të Spanjës.
Ekipi që do të jetë më i suksesshëm nga ky duel i dyfishtë do të luajë në Ligën B të Ligës së Kombeve, ndërsa ekipi tjetër do të përfundojë në Ligën C në edicionin e ardhshëm.