
Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez kërcënohen në mediat sociale
Cristiano Ronaldo dhe partnerja e tij, Georgina Rodriguez, kanë përforcuar ekipin e tyre të truprojave dhe tani jetojnë në një vilë bunker, pas marrjes së kërcënimeve serioze dhe të dhunshme në rrjetet sociale.
Sipas revistës portugeze “Nova Gente”, futbollisti dhe modelja ndodhen në gjendje gatishmërie maksimale për sigurinë e tyre, duke marrë masa të rrepta për të mbrojtur veten dhe familjen e tyre. Lojtari i Al Nassr ka punësuar truproja shtesë dhe është zhvendosur në një vend më të sigurt, ndërsa shqetësimi më i madh mbetet siguria e fëmijëve të tyre.
Cristiano dhe Georgina janë veçanërisht të shqetësuar për fëmijët e tyre, pasi kërcënimet që kanë marrë janë të detajuara dhe tepër të dhunshme. Kjo ka bërë që modelja të marrë masa shtesë, si mbulimi i fytyrave të fëmijëve në fotot që poston në rrjetet sociale, diçka që nuk kishte ndodhur më parë, raporton BallkanWeb.
Rodriguez ka reduktuar ndjeshëm angazhimet publike dhe daljet në vende të hapura, duke refuzuar madje edhe disa udhëtime tregtare për të shmangur çdo rrezik. Edhe kur del me fëmijët, ajo është gjithmonë e shoqëruar nga truproja personale. Në javën e modës në Paris, ajo vendosi të marrë pjesë e vetme për të ruajtur privatësinë dhe sigurinë e të vegjëlve.