Ç’padrejtësi historike ndaj Ballkanit!

Ç’padrejtësi historike ndaj Ballkanit!

Agron Hoti

Paramendoni se çfarë padrejtësie historike po i bën BE Ballkanit kur është fjala për investimet! Për të ngelur konkurruese në glob me fitime super të mëdha e me shpenzime sa më të vogla, BE ka vite që zhvendos megafabrikat e saj nëpër vendet më të superkorruptuara në glob siç janë Rusia, Kina, Meksika, Brazili, India, Turqia, Vendet Arabe, etj. Bile Kina e Rusia, aty ku BE ka investimet më të mëdha, janë edhe armike të Perëndimit, në këtë rast të BE-së, për dallim prej Ballkanit që me një kerr fukarallëk megjithatë synon BE-në.
Pra, gjersa BE për shtetet e lartëpërmendura s’pyet fare për korrupsion, sepse i interesojnë megatregjet e tyre, mosinvestimin në Ballkan e arsyeton kinse me shkallë korrupsioni, pra as i zhvendos fabrika e as ndërton infrastrukturë që do të mund të nxisnin zhvillim ekonomik në plan afatgjatë. Si ka mundësi që të mos zhvendosësh fabrikat e të mos ndërtosh infrastrukturë në derë të shtëpisë siç për BE-në është Ballkani, e t’i zhvendosësh ato te dreqi e te i biri që vlojnë nga korrupsioni.
Hapja e kufijve ndaj Ballkanit, i cili që mbi 100 vite jo për faj të vetin vazhdon të ngelet pjesa më e pazhvilluar në Evropë, natyrshëm ua merr rininë vendeve të Ballkanit dhe i lë ato me gishta në gojë. Rinia ikin se duan vende pune. Miliona evropianë kishin ikur për në SHBA pas Luftës së Dytë Botërore. Ishte plani Marshall i SHBA-së bashkë me rininë e Ballkanit, Afrikës Veriore dhe Turqisë që i kishin dhënë shtysën e duhur zhvillimit ekonomik të një Evrope, e cila në dy luftërat botërore kishte humbur 1/3 e popullsisë. Dhe nëse BE është shpëtuar nga SHBA, pse atëherë edhe BE s’e shpëton njëjtë Ballkanin, nëse vërtet thirret në bashkim, barazi e mirëqenie të Evropës?
Ndërkohë që qytetar zeza i Ballkanit, mendon dhe goxha fort është i bindur që investimet dhe fabrikat e BE-së s’po vijnë në Ballkan shkaku i korrupsionit, ndërsa e vërteta është krejtësisht ndryshe, pra që BE kërkon megatregje sikurse shtetet e lartëpërmendura ku prodhon dhe shet shumë po aty ku prodhon, ndërsa Ballkani edhe ashtu treg i vogël i duhet vetëm për t’ia marrë rininë dhe për ta diskredituar para qytetarëve secilin politikan e qeveri, në mënyrë që qytetarët e vendeve të Ballkanit ta humbin shpresën se do të mund të bëhet ndonjëherë mirë nëpër vendet e tyre. Por, ka edhe një arsye të fortë pse BE s’e zhvillon Ballkanin. E kam thënë edhe më herët, Ballkani për kah numri i popullsisë është sa Koreja Jugore dhe sigurisht që një investim serioz i BE-së e bën Ballkanin konkurrent në Evropë dhe jo vetëm. Çdo zhvillim i shpejtë i Ballkanit, është automatikisht humbje për vendet e zhvilluara të BE-së, prandaj askush në BE nuk e do një Ballkan të zhvilluar si Koreja Jugore, prandaj BE gjithmonë fajin për moszhvillim ua hedh qeverive të vendeve të Ballkanit, si arsyetim ky i mjaftueshëm për të mos investuar. Pse a s’kishte korrupsion në BE kur pati nisur SHBA Planin Marshall për shpëtimin e Evropës? Lëre që kishte pafund korrupsion, por BE s’kishte as bukë për të ngrënë nga shkatërrimet që kishin sjellë dy luftërat botërore.
Shikoni secilën qeveri dhe secilin politikan të Ballkanit se sa i poshtëruar është para qytetarëve kinse për shkallë të lartë të korrupsionit, ndërsa as që i bën BE-së për politikanët e qeveritë e superkorruptuara ruse, kineze, turke, braziliane, arabe, meksikane, etj. Sigurisht që në Ballkan ka korrupsion dhe kjo është gjë tepër e keqe, por korrupsion ka edhe gjithandej BE-së, ashtu siç ka edhe në megatregjet ku BE bën yrysh për të investuar. Luftimi i korrupsionit nuk do të ndalet kurrë askund në botë.,
E nëse BE thirret vërtet në standarde, atëherë s’do të duhej të investonte askund në glob ku ka korrupsion, përfshirë Ballkanin. Vetëm kështu do të bëhej e besueshme, për vendet aspiruese. Prandaj, standardet e BE-së duhet të jenë të njëjta për të gjithë, si për Ballkanin ashtu edhe për megatregjet ku BE po investon me shumicë. Sepse kështu siç jemi duke shkuar, Ballkani s’do të mund të prodhojë as për së afërmi fëmijë sa i duhen BE-së dhe kjo në plan afatgjatë do të mund ta bëjë Ballkanin vikendicë pleqësh, e asgjë më shumë.