Costa në Prishtinë: Nevojitet ulja e tensioneve për t’i hequr masat e BE-së ndaj Kosovës

Costa në Prishtinë: Nevojitet ulja e tensioneve për t’i hequr masat e BE-së ndaj Kosovës

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë të mërkurën në Prishtinë se nevojitet ulja e tensioneve në veri të Kosovës, në mënyrë që Bashkimi Evropian t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

“Siç e dini këto masa lidhen me nevojën për t’i ulur tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Uroj që sa më shpejt do të ndodhë ky shtensionim. Pas shtensionimit mund të ecim përpara dhe t’i heqim masat”, tha Costa duke folur në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

Costa shtoi se shpreson se “ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë trend të ri, por të jenë përjashtim që konfirmon se jeni të angazhuar për të shtensionim të situatës dhe për të ecur përpara në rrugën evropiane dhe për t’u angazhuar në dialogun e Brukselit”.

Verën e kaluar, përfaqësuesi i lartë i BE-së asokohe, Josep Borrell, rekomandoi heqjen e masave, duke e arsyetuar atë me hapat që kishte marrë Kosova për përmbushjen e kushteve për heqjen e tyre.