HomeAktualeCosta në Kosovë: Rruga drejt BE-së dhe nevoja për institucione stabile, tema...

Costa në Kosovë: Rruga drejt BE-së dhe nevoja për institucione stabile, tema kryesore e diskutimit

spot_img

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror.

Këto deklarata ajo i bëri gjatë takimit në Prishtinë me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, me të cilin tha se bisedoi për një sërë çështjesh, përfshirë për Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor si dhe stabilitetin rajonal. “Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror dhe zgjedhje demokratike e qytetarëve tanë”, tha Haxhiu përmes një postimi në “Facebook”.

Para nisjes së takimeve, Costa shkroi në X se inkurajon udhëheqësit politikë në Kosovë që ta bëjnë prioritet integrimin në BE, “dhe të punojnë së bashku drejt këtij qëllimi të përbashkët”.

“Kosova ka nevojë për institucione të forta, stabile dhe të afta që të zbatojnë reforma, që përfitojnë nga ajo që ofron BE-ja dhe të zbatojnë zotimet që dalin nga dialogu Kosovë-Serbi”, shkroi Costa.

Ndërkaq, sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca, Haxhiu ka kërkuar që të avancohet procesi i integrimit, teksa Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk ka as statusin e vendit kandidat.

Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.

Haxhiu vlerësoi se Kosova ka shoqërinë më “proevropiane në rajon”, duke argumentuar se ky orientim është bazë për rrugën e shtetit drejt BE-së.

Ndërkaq, sa i përket Planit të Rritjes, Haxhiu tha se Kosova atë e sheh si mundësi konkrete për zhvillim, “për afrim me tregun e përbashkët evropian dhe për përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët”.

Paketa financiare e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Fondet u ndahen vendeve të rajonit pjesërisht në formë grantesh dhe pjesërisht përmes kredive të favorshme.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Costa është takuar edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Kryeministri e falënderoi presidentin Costa për kontributin e Bashkimit Evropian si donatori më i madh në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës, mbështetje të cilën Kosova e ka kthyer në kultivimin dhe promovimin e vlerave të BE-së si dhe në forcimin e institucioneve.

Kurti theksoi se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon. Ai vlerësoi se Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor zhvillimor i Kosovës.

Kryeministri në detyrë Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.

Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal.

Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit Costa në Prishtinë, pas asaj që realizoi në maj të vitit të kaluar.

Me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik, Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave.

Vizita e zyrtarit evropian në Kosovë është në kuadër të një turneu në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. “Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: zotimi i Bashkimit Evropian për rajonin është i vërtetë, sikurse është e vërtetë edhe mundësia për zgjerim.

Momentumi ekziston. Tani është koha që të japim rezultate”, tha ai përmes një njoftimi para nisjes së vizitave në rajon.
Costa nisi turneun ballkanik në Sarajevë, ku u takua me anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës dhe udhëheqësen e Këshillit të Ministrave.

Një ditë më vonë, ai qëndroi në Tiranë ku u takua me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dhe presdientin, Bajram Begaj. Më pas, në Shkup zhvilloi takim me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski.

Pas qëndrimit në Prishtinë, Costa do të udhëtojë drejt Serbisë, për takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryetaren e Parlamentit, Ana Bërnabiq, dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.

Lajmet e Fundit

Dehari thërret seancën e Kuvendit më 9 shtator

Kryesuesi i Seancës Konstitutive të Kuvendit, Avni Dehari, ka njoftuar se vazhdimi i seancës...

FC Malisheva zyrtarizon transferimin e Rimal Haxhiut

FC Malisheva ka zyrtarizuar transferimin e Rimal Haxhiut, i cili është bërë pjesë e...

Gjini: Suksesi në “Taranto 2026”, motivim i madh para Lojërave Mesdhetare 2030 që mbahen në Kosovë

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka përgëzuar sportistët kosovarë për suksesin e arritur në...

Prokuroria dorëzon aktakuzë për 35 persona për vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë në mungesë...

Më të lexuarat

Shteti duhet të fitojë mbi pushtetin

Shkruan: Hisen Berisha Kosova po përballet me një krizë që nuk mund të shpjegohet vetëm...

Pasiguria politike ka çmim, ekonomia e Kosovës po e paguan faturën

Shkruan: Safet Gërxhaliu Nëse e shohim situatën e Kosovës në vitin 2026, ekonomia vazhdon të...

Kosovë,

Shkruan: Valon Murtezaj ka ardhur koha që të kujtojmë, dhe kuptojmë se, politika përveç që...