Antonio Conte ka dhënë sinjale të qarta për të ardhmen e tij, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit në stol edhe gjatë sezonit, nëse shfaqet projekti i duhur.
Në një intervistë për The Athletic, trajneri italian tha se dëshiron të marrë drejtimin e një klubi me histori të madhe, por që ka humbur disi shkëlqimin e së kaluarës.
“Ka shumë klube që kanë humbur disi nga sytë historinë e tyre. Do të doja të shkoja te një prej këtyre klubeve, ta nxirrja sërish në pah atë histori dhe ta bëja të shkëlqente edhe një herë”, u shpreh Conte.
Conte theksoi se kërkon një klub ku presioni dhe ambicia për të fituar janë të mëdha, duke nënvizuar se nuk dëshiron të jetë pjesë e një skuadre vetëm për të marrë pjesë, por për të luftuar për trofe.
Deklaratat e tij kanë nxitur menjëherë spekulimet për një rikthim të mundshëm në Premier League, me Manchester United që është përmendur ndër destinacionet e mundshme, ndërsa në Itali është përfolur edhe një rikthim te Juventusi./Klankosova.tv

