
Çmimi “Ylli i Javës” për futbollistin e FC Prishtina, Ron Raqi
Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”.
Ky çmim për javën e 26-të në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Prishtina, Ron Raqi.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Avni Shala, Enes Shosholli dhe Vllaznim Visoka.
Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e njëzet e gjashtë t’i takojë mbrojtësit Raqi, i cili me golin e tij i mundësoj Prishtinës të arkëtoj tre pikë në fitoren kundër FC Feronikeli 74, e cila përfundoi me rezultat 2:1.
Pasi mori këtë çmim, Roni shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës:
“Kemi pasur kohë të mjaftueshme për ta përgatitur ndeshjen, e cila ishte mjaft e rëndësishme. E dimë që pas një kohe të gjatë nuk kemi qenë mirë me rezultate, por shpresoj që kjo fitore të na japë më shumë motiv dhe të jetë një pikë kthese për rezultatet pozitive. Objektivi ynë është dalja në Evropë dhe shpresoj që me këtë formë mund ta arrijmë. Jam shumë i lumtur për golin dhe që arrita ta ndihmoj ekipin, mirëpo edhe më i lumtur jam për tre pikët. Merita shkon për bashkëlojtarët e mi dhe stafin, sepse pa ta kjo fitore nuk do të ishte e mundur. Një falënderim i veçantë për Federatën e Futbollit dhe komisionin që më vlerësuan me këtë çmim, i cili është një motiv shtesë për mua. Mua më mbetet të punoj fort, të ndihmoj ekipin aq sa mundem dhe të vazhdojmë drejt objektivave tona”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.