Çmimet e naftës ranë për të shtatën javë radhazi

Në tregjet botërore, çmimet e naftës ranë edhe javën e kaluar, për të shtatën herë radhazi, pasi për shkak të dobësisë së ekonomive, është e mundur një rënie e mëtejshme e kërkesës për “arin e zi”.

Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie ra me 3.9 për qind javën e kaluar, në 75.84 dollarë, ndërsa në tregun amerikan çmimi i fuçisë ra me 3.8 për qind, në 71.22 dollarë.

Rënie e çmimeve për shtatë javë rresht nuk është regjistruar që nga viti 2018.

Të enjten, çmimet e naftës në të dy tregjet ranë në nivelin më të ulët që nga fundi i qershorit, por të premten ata u hodhën më shumë se 2 për qind, duke ulur humbjet javore.

Kohët e fundit, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj vendosën të ulin prodhimin në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm me rreth 700 mijë fuçi në ditë.

Por, kjo nuk i mbështeti çmimet e naftës sepse kompanitë në SHBA po prodhojnë sasi rekord fuçish dhe importet kineze të naftës po lëkunden, që do të thotë se furnizimi është i mjaftueshëm, thotë Tamas Varga nga PVM.

Dhe një marrëdhënie e tillë midis ofertës dhe kërkesës mund të vazhdojë, duke pasur parasysh se rritja e ekonomive më të mëdha në botë është ngadalësuar, ndërkohë që vendet jo anëtare të OPEC-ut po rrisin prodhimin e naftës.

Ndaj Varga e konsideron rritjen e çmimit të premten si një “korrigjim të thjeshtë”, pas rënies së mprehtë të ditëve të mëparshme.

Çmimet aktualisht mbështeten vetëm nga besimi i tregtarëve se bankat qendrore të vendeve perëndimore kanë përfunduar ciklin e rritjes së normave të interesit, duke qenë se inflacioni është në rënie.

Por, ekonomitë me siguri do të ngecin ose do të dobësohen në muajt e ardhshëm dhe do të kalojnë muaj para se bankat qendrore të fillojnë të ulin normat e interesit dhe në këtë mënyrë të stimulojnë rimëkëmbjen e ekonomive.

Kjo është arsyeja pse çmimet e naftës janë në rrugën e humbjeve këtë vit. Në tregun e Londrës, çmimi i fuçisë aktualisht është në të kuqe në krahasim me fillimin e vitit me rreth 11.7 për qind dhe në atë amerikan me rreth 11.3 për qind.

 

TAGS