Çka u diskutua në takimin gati tre orësh Kurti-O’Brien? – Qeveria jep detaje

Çka u diskutua në takimin gati tre orësh Kurti-O’Brien? – Qeveria jep detaje

Ndihmësekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit Amerikan të Shtetit, James O’Brien, e ka zhvilluar sot vizitën e tij të parë në Kosovë ku u prit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ky takim erdhi pas gati një muaji, prej se Kurti dhe O’Brien u takuan në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Përgjatë bashkëbisedimit në kryeministri diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat mund të thellohen edhe më tej raportet e ngushta ndërmjet dy vendeve tona. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij dhe të Qeverisë për rolin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, dhe për bashkëpunimin e afërt në fushën e energjisë, ekonomisë, financave dhe sigurisë e mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Një javë pas Samitit të Procesit të Berlinit, u vlerësua angazhimi, marrëveshja e nënshkruar dhe deklaratat e miratuara që e bënë 10-vjetorin e Procesit të Berlinit një përvjetor të suksesshëm në avancimin dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal drejt integrimit evropian.

“Në këtë takim u diskutua edhe rreth raporteve me Serbinë, procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike është dëshmia e nevojshme e vullnetit të mirë dhe mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të saj e të Aneksit të zbatimit. Po ashtu, për ligjshmëri e drejtësi, paqe e siguri, nevojitet dorëzimi i kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij paramilitar”, thuhet tutje në njoftim.

Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi. Ndërkaq, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.