Çka ndodhi pas 9 shkurtit?

Çka ndodhi pas 9 shkurtit?

Shkruan: Shenoll Muharremi

Pas 9 shkurtit, pagat duhej të ishin rritur 50%, pensionet 70%. Një miliard euro për bizneset dhe prodhimin vendor ishte premtuar. Prishtina do të përfitonte 1.5 miliardë euro. Kosova do të fokusohej të bëhej pjesë e NATO-s.

Një ministri e re për ICT me 120 milionë euro për teknologjinë do të krijohej. Për Brezovicën, 500 milionë euro do të investoheshin që turizmi të përmirësohej e ekonomia të rritej. Kapaciteti energjetik do të rritej me 1,500 MW që mos të kemi kriza energjetike dhe mos të importojmë energji me kosto të lartë. Në projekte publike kapitale, 6 miliardë euro do të derdheshin.

Paga minimale duhej të arrinte në 500 euro. Ushtria do të merrte 1 miliard. Spitale të reja do të ndërtoheshin anekënd vendit. Buxheti publik brenda katër viteve do të shkonte në 19 miliardë. Arsimi do të reformohej, duke krijuar një ekonomi që përfiton nga edukimi cilësor. E ata që investojnë do të merrnin 30% përkrahje financiare publike për të stimuluar investimet private.

Këto nuk ishin thjesht ide, por zotime që u promovuan si të prekshme, si të realizueshme. Rreth 70% e qytetarëve rezident në Kosovë me të drejtë vote dolën për t’i mbështetur këto projekte. Një pjesëmarrje rekord, një optimizëm i rrallë për të ardhmen.

Por sot, dhjetë ditë pas zgjedhjeve… asgjë nuk duket më e afërt, asgjë nuk duket më reale. Nuk ka marrëveshje, nuk ka bashkëpunim, nuk ka as vullnet për të çuar përpara atë që u premtua. Partitë nuk duken të gatshme ta tejkalojnë egon e tyre për ta kthyer këtë besim në rezultate konkrete.

Dje në fushatë kishim një të ardhme më të ndritshme, por sot ajo fotografi po zbehet. Pse? Sepse ndoshta partitë nuk morën atë që lakmia e tyre kërkonte. Dhe tani, nuk janë në gjendje të sakrifikojnë interesat e tyre për qytetarin që më 9 shkurt votën e dha për projekte, për vizion, për ndryshim.

Kemi parë se si gjatë zgjedhjeve të gjitha premtimet ishin të mundshme, të gjitha projektet të realizueshme. Por tani, gjithçka është bërë “komplekse”, “e vështirë”, “e parealizueshme”. Papritmas, nuk ka vullnet për bashkëpunim dhe dialog ndër-partiak. Nuk ka vullnet e as maturi për konsensus. Papritmas, faji është gjithmonë diku tjetër.

A nuk ishte pikërisht për të evituar këtë mentalitet që qytetarët dolën masivisht për të votuar? A nuk ishte ky momenti kur duhej të vinte një ndryshim real? Pse, sapo mbarojnë zgjedhjet, gjithçka kthehet në një luftë të pastër për pushtet, dhe jo një përpjekje për ta çuar vendin përpara?

Tash, kur erdhi momenti që publiku, qytetarët dhe bizneset të përfitojnë, partitë politike nuk janë më aty me premtimet e tyre. Ato që deri dje garonin me projekte madhore dhe vizione transformuese, sot po hezitojnë të bashkëpunojnë mes vete.

Në vend që të tregojnë pjekuri politike dhe të ndajnë përgjegjësinë për të çuar vendin përpara, ato po mbeten të ngujuara në interesa të ngushta, duke refuzuar të gjejnë një rrugë të përbashkët për implementimin e atyre zotimeve që i bënë para qytetarëve.

A thua mos ka ardhur koha që premtimet të kenë peshë? A mos duhet që politika më në fund ta shohë votën jo si një mjet për pushtet, por si një kontratë për përgjegjësi? Sepse një demokraci nuk matet vetëm me procesin e votimit, por me mbajtjen e fjalës dhe përmbushjen e pritshmërive që krijon.