Çitaku: Lëvizja Vetëvendosje të reflektojë

Çitaku: Lëvizja Vetëvendosje të reflektojë

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se sot bëhen katër muaj nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Sipas saj, katër muaj prej kur qytetarët e vendit, me pjesëmarrje të madhe dhe vullnet të qartë, votuan për përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Republikës.

“Për fat të keq, katër muaj më vonë, Kosova vazhdon të jetë pa parlament funksional dhe rrjedhimisht pa institucione që do të duhej të adresonin sfidat reale dhe të përditshme të qytetarëve tanë. Tashmë në 29 seanca të thirrura, inati ka zëvendësuar arsyen. Kjo për shkak të barrikadimit kokëfortë të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila, në mungesë të shumicës, po përpiqet të imponojë vullnetin e saj si normë. Diktati nuk është dhe nuk mund të jetë instrument i ligjshëm i qeverisjes demokratike. Kjo mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit duhet të marrë fund. Edhe njëherë, i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë. E drejta për të zgjedhur dhe për të pasur institucione funksionale nuk është privilegj i dhuruar, por është e drejtë e fituar me mund, djersë dhe sakrificë”, ka thënë Çitaku pas përfundimit të seancës.