Çfarë thuhet në dosjen e Interpolit për arrestimin e Hasan Krasniqit të Vetëvendosjes?
Hasan Krasniqi, kryeshef i KRU “Gjakova” është arrestuar në Bullgari. Ndaj tij kishte urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga policia italiane. Krasniqi akuzohet për trafikim me qenie njerëzore.
Në dosjen e Interpolit të siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se Krasniqi është marrë me kontrabandimin e njerëzve me dokumente të falsifikuara.
Dosja e Interpolit thotë se një prej mënyrave që ai dyshohet ta ketë përdorur dhënien e vizave Shengen dhe leje qëndrimin ishte duke i prezantuar ata si anëtarë të klubeve sportive, por që policia italiane dyshohet se ato nuk ishin lëshuar në mënyrë të rregullt nga organizatat sportive. Sipas dosjes, kjo ka qenë mënyra se si ai i ka futur brenda zonës Shengen njerëzit që nuk kanë pasur dokumentacion të rregullt.
Krasniqi raportohet se është arrestuar më 19 shkurt në Bullgari përderisa po udhëtonte për pushime së bashku me familjen e tij.
Hasan Krasniqi, tre muaj pasi si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës kishte dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur asamblist, në janar të 2022’ës ishte emëruar nga Qeveria e Kosovës kryeshef në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.