Çfarë po ndodh në Iran? Ndërpritet interneti, bllokohen kriptovalutat dhe bankat në të gjithë vendin

Çfarë po ndodh në Iran? Ndërpritet interneti, bllokohen kriptovalutat dhe bankat në të gjithë vendin

Irani po përballet me një situatë kaotike në fushën digjitale dhe financiare, pas një vale sulmesh kibernetike që kanë prekur internetin, bankat dhe tregtinë me kriptovaluta, raporton TCh.

Ministria e Teknologjisë dhe Informacionit e Iranit konfirmoi se janë vendosur kufizime në aksesin në internet, duke akuzuar Izraelin për “keqpërdorim të rrjetit kombëtar të komunikimit për qëllime ushtarake”. Megjithatë, autoritetet shtetërore sqaruan se platformat dhe shërbimet vendase mbeten funksionale.

Një nga goditjet më të rënda ishte ndaj platformës më të madhe të tregtimit të kriptovalutave në Iran, Nobitex, e cila doli jashtë funksioni për shkak të një “kërcënimi të sigurisë”. Mediat vendase raportojnë se grupi i njohur i haktivistëve Predatory Sparrow mori përgjegjësinë për sulmin, duke deklaruar se platforma po përdorej për shmangie të sanksioneve dhe financim të terrorizmit.

I njëjti grup sulmoi më herët edhe Bankën Sepah, e lidhur me forcat e armatosura iraniane, si dhe Bankën Pasargad, duke shtuar shqetësimet për stabilitetin financiar dhe digjital në vend.

Pavarësisht situatës, zëdhënësja e qeverisë, Fatemeh Mohajerani, siguroi se “fondet publike janë të sigurta”.

Kriptovalutat në Iran janë kthyer në një mënyrë për qytetarët që të ruajnë vlerën e parave dhe të kryejnë transaksione në kushtet e krizës ekonomike dhe sanksioneve ndërkombëtare. Këto zhvillime pritet të thellojnë edhe më shumë tensionet rajonale dhe pasigurinë në tregjet iraniane.