Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka ndarë certifikatat për grupin e parë të pjesëmarrësve të cilët kanë përfunduar me sukses Programin Kombëtar të Certifikimit për Auditorë të Brendshëm të Sektorit Publik.
Programi i organizuar nga Ministria e Financave, është realizuar me qëllim të ngritjes së kapaciteteve profesionale të auditorëve të brendshëm dhe forcimit të funksionit të auditimit të brendshëm në institucionet publike. Trajnimet janë zhvilluar në Institutin e Kosovës për Administratë Publike (IKAP), ndërsa në përfundim të programit janë certifikuar 10 pjesëmarrës.
Me këtë rast, Ministri Murati përgëzoi të certifikuarit për përfundimin me sukses të programit, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të vazhdueshëm profesional të auditorëve të brendshëm si një komponent i rëndësishëm për forcimin e kontrollit të brendshëm financiar publik, transparencës dhe llogaridhënies institucionale.
“Investimi në kapacitetet profesionale të administratës publike është një ndër prioritetet tona. Auditorët e brendshëm kanë rol të rëndësishëm në sigurimin e menaxhimit të mirë të financave publike dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve institucionale”, u shpreh Ministri Murati.
Ministria e Financave mbetet e përkushtuar në avancimin e sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit të financave publike, përmes zhvillimit të kapaciteteve profesionale dhe përafrimit me standardet më të mira ndërkombëtare.

