Çeku: Rinia nuk do të jetë më sektor që mbulohet vetëm nga një ministri

Çeku: Rinia nuk do të jetë më sektor që mbulohet vetëm nga një ministri

Ka filluar edicioni i 6-të i Akademisë Rinore të OSBE-së me temën: “Zëra të ndryshëm, e ardhme e përbashkët”.

MKRS-ja në faqen e saj në Facebook ka njoftuar se ky edicion i radhës do t’i bashkojë 60 të rinj dhe të reja nga komunitete të ndryshme anembanë Kosovës dhe do të përmbajë sesione ndërvepruese, punëtori dhe një udhëtim studimi në vendet e trashëgimisë kulturore në Pejë.

Në hapje të kësaj ngjarje, para shumë të rinjve, fjalë mbajti ministri i Kulturës dhe Rinisë, Hajrulla Çeku dhe zëvendësambasadorja e OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor.

Ministri Çeku ndër të tjera në fjalën e tij tha se në këto tri vite të punës në MKRS, çdo thirrje dhe program ka integruar rininë, qoftë në fushën e kulturës, sportit dhe trashëgimisë, duke theksuar se tashmë me Ligjin e ri të Rinisë që është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës dhe me Strategjinë e re të Rinisë që është miratuar, rinia nuk do të jetë më sektor që mbulohet vetëm nga një ministri.

Programi pesëditor i akademinsë do t’u mundësoj pjesëmarrësve që të reflektojnë mbi mënyra të ndryshme se si të rinjtë mund të dizajnojnë dhe udhëheqin përpjekjet drejt përparimit thelbësor dhe të qëndrueshëm të të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve. E gjithashtu do të zhvillojnë ide për iniciativa të udhëhequra nga të rinjtë, e që pastaj do të shtrihen përtej akademisë.