Çeku: Nuk është pranuar asnjë ndërhyrje në kullat e Jasharëve pa u bërë projekti final – VIDEO
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka folur për projektin e renovimit të Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt.
Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka thënë se është çështje ditësh kur mund të pritet një përgjigje nga Organi Shqyrtues i Prokurimit pasi njëri prej operatorëve teknik ka shpallur aty ankesë, dhe nëse përgjigja është në favor të MKRS-së ata do të shpallin fituesin dhe mund të fillohet me implementimin e planit.
“Rreth dy vjet e gjysmë kur është themeluar komiteti ndërministror, hapi i parë ka qenë studimi i profesorëve të Universitetit të Prishtinës për qëndrueshmërinë fizike të strukturave sidomos të kullave të rezistencës, shtëpitë e familjes Jashari dhe ndërhyrjet emergjente në disa nga ndërtesat e tjera që janë realizuar sepse kanë qenë në gjendje më të vështirë dhe është dashtë të intervenohet shpejt. Këto kanë qenë vetëm shtrëngime”.
“Hapi i dytë ka qenë themelimi i komisionit të ekspertëve të cilët e kanë hartuar detyrën projektuese mbi atë detyrë projektuese është shpallur konkursi ndëkombëtar për projektin për master planin e gjithë kompleksit memorial, kanë aplikuar tre studio projektuese, tre operatorë, është shpallur rezultati i fazës së parë që është vlerësimi i projektit ideor, pra vlerësimi teknik. Njëri nga operatorët teknik që nuk ka fituar ka bërë ankesë deri në OShP , tash po e presim është çështje ditësh tash po e presim përgjigje, shpresoj se është në favor të ministrisë, në atë moment ne e shpallim fituesin që fillon me projektin e kompleksit memorial”, ka thënë Çeku.
Çeku ka shtuar arsyen se pse nuk kanë punuar deri tani në kompleksin “Adem Jashari”.
“Nuk është pranuar që të bëhet asnjë ndërhyrje në kullat e Jasharajve pa u bërë projekti final, pra jo improvizim, por duhet masterplan, kur të bëhet masterplani pastaj edhe bëjmë edhe ndërhyrjen”, ka thënë Çeku.