Çeku i reagon Abdixhikut: Si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur

Çeku i reagon Abdixhikut: Si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nga Vetëvendosje i ka reaguar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për deklaratën e tij se pa pozitën e kryeministrit nuk hyjnë në koalicion me partitë opozitare, ndërsa po ashtu Abdixhiku e ka përjashtuar edhe një koalicion të mundshëm me partinë fituese, Vetëvendosje.

Çeku thotë se kjo deklaratë e Abdixhikut është në kundërthënie me deklaratën e tij të dhënë disa ditë pas zgjedhjeve.

“Është mirë që z. Abdixhiku të na tregojë për cilat fjalë ta mbajmë. Më 12 shkurt shkroi në Facebook se ‘LDK nuk i ka fituar zgjedhjet…’ dhe se ‘…ky rezultat nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën, sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë’. Tash, paska thënë që, nëse ia japin postin e Kryeministrit, atëherë e rrëmben pushtetin. Cilin Lumir të mbajmë për fjale? Atë që thotë se LDK s’ka fituar dhe se ky nuk është rezultat ndryshimi, apo Lumirin tjetër, i cili thotë që s’ka rëndësi fituesi dhe preferenca e qytetarit? Po tash, si mund të bëhesh kryeministër në një palë zgjedhje që i ke humbur, e ku fituesi është afër trefish larg teje? Kjo i bie të bëhesh kryeministër me çdo kusht”, ka shkruar në Facebook.

Çeku tha se “ky është standardi i mashtrimit që e kemi parë në të kaluarën”, ndërsa hodhi akuza ndaj tij për votat e ardhura me postë. “Deri tash, të vetmet fjalë që i ka mbajtur janë ato për sa vota janë në kutitë e votimit me postë. Aty e ka ditur ende pa filluar numërimi”.

Para disa ditësh, Abdixhiku ka thënë se për LDK-në opsion mund të jetë koalicioni me partitë e opozitare vetëm nëse i ofrohet pozita e kryeministrit dhe nëse arrihet marrëveshje për postin e presidentit.