Cakolli: E papërgjegjshme që zgjedhjet lokale dhe nacionale të mbahen në një ditë

Cakolli: E papërgjegjshme që zgjedhjet lokale dhe nacionale të mbahen në një ditë

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka deklaruar se ideja që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën ditë është e papërgjegjshme dhe rrezikon të dëmtojë seriozisht cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit demokratik.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka deklaruar se partitë politike po kërkojnë një zgjidhje të tillë, sipas tij, për krizën që e kanë shkaktuar vet.

“Tri fletëvotime për çdo qytetar, tri nivele kandidatësh, procedura të ndërlikuara, komisionarë të papërgatitur, ngarkesë për trupat menaxhuese të zgjedhjeve, dy lloj fushatash – dhe mbi të gjitha, paqartësi e madhe për votuesin. Për më tepër, rriten gjasat për gabime “teknike”, vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të gjata”.

Postimi i tij në Facebook:

Ideja që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën ditë është e papërgjegjshme dhe rrezikon të dëmtojë seriozisht cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit demokratik.

Tri fletëvotime për çdo qytetar, tri nivele kandidatësh, procedura të ndërlikuara, komisionerë të papërgatitur, ngarkesë për trupat menaxhuese të zgjedhjeve, dy lloj fushatash – dhe mbi të gjitha, paqartësi e madhe për votuesin. Për më tepër, rriten gjasat për gabime “teknike”, vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të gjata.

Ky skenar nuk po shtyhet përpara sepse është i arsyeshëm, por sepse partitë politike, e sidomos partia e parë, po kërkojnë një “zgjidhje” për krizën që vetë e kanë krijuar. Në vend që të merren vesh mbi bazën e mandatit të fituar më 9 shkurt, po orientohen drejt një formule që përzien dy procese të ndara, vetëm për të krijuar një rifillim artificial.

Dhe nëse rezultati i zgjedhjeve parlamentare pritet të jetë përafërsisht i njëjtë, atëherë kjo është thjesht një manovër për të zbutur tensionet dhe retorikën, për të larë vijat e kuqe, dhe për të justifikuar një bashkëpunim që sot po refuzohet.

Zgjedhjet janë mjet i demokracisë – por nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për të zëvendësuar përgjegjësinë politike.