
Bulliqi priti në takim përfaqësuesit e Klubit të Hendbollit “Llapi”
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, priti në takim drejtorin e Klubit të Hendbollit “Llapi”, Muhamet Selmani dhe trajnerin Jeton Havolli.
Gjatë këtij takimi u bisedua për kushtet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ky Klub.
“Klubi Hendbollistik “Llapi” ka një traditë të gjatë sportive dhe aktualisht në ekipin e parë-senior i ka rreth 20 lojtarë dhe është i renditur në vendin e pestë në Superligë. Mysafirët i përgëzova për sukseset dhe iu premtova se me ndërtimin e palestrës multisportive që pritet të nisë këtë vit, do të krijohen kushte më të mira jo vetëm për hendbollin, por edhe për sportet tjera që parashihet të ushtrojnë veprimtarinë e tyre aty”, theksoi Bulliqi.
Në këtë takim prezent ishte edhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Valbona Ibishi-Azemi.
Përfaqësuesit e Klubit Hendbollistik “Llapi” i priti në takim edhe nënkryetari, Fahri Restelica.
