
Bugaqku i KDI-së: 10 deputetë mund t’i drejtohen Kushtetueses për të zhbllokuar Kuvendin
Vullnet Bugaqku Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se pozicionimi aktual politik për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit po thellon më tej bllokadën institucionale në vend.
Bugaqku theksoi se pamundësia për të siguruar shumicën prej 61 deputetësh po çon në kalkulime politike të qëllimshme nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), që po kërkon të fitojë kohë për të bindur deputetë apo parti të tjera për ta mbështetur kandidatin e saj.
“Është një pozicionim që me tepër shkakton një bllokadë, një vazhdim të një bllokade të formimit të Kuvendit. Dhe kjo vjen si rrjedhojë e pamundësisë për të pasur në mënyrë të garantuar votën e 61 deputetëve. Në mungesë të një marrëveshje politike, këtë rast partia fituese e zgjedhjeve po duket se po kalkulon edhe pak të humb kohë. Që eventualisht të bindet ndonjë deputet apo parti tjetër që të votohet kryetarit i Kuvendnit dhe të zhbllokohet situata. Dhe të hyjmë në afatet e formimit të qeverisë”, ka thënë Bugaqku, për RTV Dukagjini.
Sipas tij, në mungesë të një marrëveshjeje politike, ekziston rreziku real që kjo çështje të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Ai përmendi nenin 113, paragrafi 5 të Kushtetutës, që i jep të drejtë 10 deputetëve ta kontestojnë çdo vendim të Kuvendit brenda 8 ditëve, qoftë për përmbajtjen apo procedurën.
“Sa i përket zgjidhjes, unë mendoj që këtu rrezikojmë të përfundojmë në Gjykatë Kushtetuese në këtë situatë për faktin që, nëse LVV-ja si parti fituese e zgjedhjeve dhe si grupi më i madh parlamentar, vazhdon ta propozon të njëjtin emër dhe i njëjti emër nuk merr votat mjaftueshme. Atëherë unë e shoh mundësinë, është interpretim i imi personal, juridikisht që 10 deputetë –mandati i deputetit ka filluar në momentin kur është dhënë betimi. Kemi një dispozitë në Kushtetutë të Kosovës neni 113, paragrafi 5, ku thotë që 10 deputetë brenda 8 ditëve kanë të drejtë ta kontestojnë çfarëdo ligji dhe çfarëdo vendimi në Kuvend. Si për nga procedura ashtu edhe për nga përmbajtja. Dhe tani vendim nënkupton jo vetëm kalimi pro i një çështje, por edhe kur refuzohet një kandidaturë apo kur refuzohet një ligj, ose një vendim i caktuar. Dhe unë po besoj që një arsyetim i një kërkesë mbi pranueshmërinë saj në gjykatë, do të mund të bëhej mbi këtë bazë. Nga një grup i deputetëve”, ka shtuar Bugaqku.