Zëvendësguvernatori për Operacione Bankare i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Dardan Fusha, ka mbajtur një ligjëratë të ftuar për studentët e Universitetit të Prishtinës, ku ka prezantuar zhvillimet dhe reformat në modernizimin e sistemit të pagesave në Kosovë.
Ligjërata u mbajt më 9 nëntor 2026, në kuadër të lëndës Menaxhment i Avancuar Bankar, të profesoreshës Albulena Shala, me temën “Modernizimi i Sistemit të Pagesave në Kosovë: SEPA dhe TIPS Clone”.
Gjatë ligjëratës, Fusha ka shpjeguar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), e cila mundëson realizimin e pagesave ndërkufitare në euro sipas rregullave dhe standardeve të përbashkëta evropiane.
Ai ka diskutuar edhe për hapat që pasojnë dorëzimin e aplikimit të Kosovës, duke theksuar se përfshirja në hapësirën gjeografike të SEPA-s dhe gatishmëria operacionale e ofruesve të shërbimeve të pagesave janë procese të ndërlidhura, por të veçanta.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe projektit TIPS Clone dhe përgatitjeve për lansimin e sistemit të pagesave të shpejta në Kosovë. Ky sistem synon të mundësojë realizimin e pagesave brenda pak sekondave, 24 orë në ditë dhe gjatë gjithë vitit.
Studentët u njohën gjithashtu me rëndësinë e menaxhimit të likuiditetit, sigurisë kibernetike, parandalimit të mashtrimeve dhe qëndrueshmërisë operacionale, si dhe me shërbimet e reja të planifikuara, përfshirë pagesat përmes kodeve QR, identifikuesit alternativë, kërkesat për pagesë dhe verifikimin e përfituesit.
Gjatë ligjëratës u trajtuan edhe zhvillimet në fushën e euros digjitale, depozitave dhe aseteve të tokenizuara, stablecoin-ëve dhe teknologjive të reja financiare, duke u theksuar rëndësia që inovacioni të ruajë besimin në para dhe të sjellë përfitime konkrete për përdoruesit.
“Njohja me këto zhvillime është me rëndësi për profesionistët e ardhshëm të sektorit financiar. Synimi ynë është që modernizimi i pagesave të përkthehet në shërbime më të shpejta, më të sigurta dhe më të qasshme për qytetarët dhe bizneset”, ka theksuar Fusha.
Në fund, BQK-ja ka vlerësuar bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës, duke theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive që studentët të njihen nga afër me reformat dhe zhvillimet e fundit në sektorin financiar të Kosovës.

